Telegrafi

Zyrtare: Valon Zumberi nënshkruan kontratë profesionale me Hamburgun

Hamburger SV ka vazhduar para kohe kontratën me mbrojtësin shqiptar Valon Zumberi.

Qendërmbrojtësi 19-vjeçar, i cili kishte kontratë të vlefshme deri në verën e vitit 2023, ka nënshkruar kontratë profesionale që vlen deri në verën e vitit 2024.

Zumberi është pjesë e Hamburgut që nga viti 2010 dhe ka luajtur në të gjitha kategoritë e reja.

“HSV më ka treguar një rrugë të qartë gjatë viteve të fundit dhe e kanë zbatuar atë së bashku me mua. Kam mundur të zhvillohem hap pas hapi si junior dhe për këtë i jam shumë mirënjohës të gjithë ekipit”, ka thënë mbrojtësi Zumberi.

Valon Zumberi ka lindur në Hamburg më 24 nëntor 2002 nga prindër kosovarë dhe është pjesën e klubit HSV që nga viti 2010.

Ai ka 10 ndeshje me Kosovën U21, ndërsa ka stërvitur edhe me Kosovën A.

Zumberi ka fituar një vend në skuadrën e profesionale për sezonin 2022/23 dhe po vazhdon përgatitjet me klubin./Telegrafi/