Telegrafi

Zyrtare: Valentin Spaqi ndahet me Rahovecin

Valentin Spaqi nuk është më trajner i KB Rahoveci.

Ish basketbollisti i shumë skuadrave të Superligës së Kosovës, Valentin Spaqi, i cili në kampionatin e kaluar të ligës së parë ka arritur sukses të jashtzakonshëm si trajner i KB Rahovecit, duke e kryer kampionatin me 24 fitore dhe vetëm një humbje, duke u bërë anëtar i elitës të basketbollit kosovar, nuk do të vazhdojë punën me klubin e Rahovecit edhe në rang më të lartë të garave.

Spaqi thotë se mjerisht nuk ka arritur marrëveshje me kryesinë e klubit për të vazhduar punën tutje, shkaku i çështjes financiare, ku ofertat mes tij dhe kryesisë nuk janë përputhur as për së afërmi.

Por, Spaqi thotë se ndarja e tij me kryesinë e klubit ka qenë korrekte dhe thotë “KB Rahovecit i dëshiroj suksese dhe qëndrim sa më të gjatë në elitën e basketbollit kosovar, sepse këtë e meriton qyteti i rrushit, por edhe armata e flaktë dhe e mrekullueshme e tifozerisë “Vreshtarët”, të cilët i falënderoj nga zemra për përkrahjen e tyre”.

Largimin e Spaqit e ka konfirmuar edhe kryetari i KB Rahoveci, Bekim Hoxha, i cili thotë se janë në negociata me trajner të ri, emri i të cilit do të dihet së shpejti.