Telegrafi

Zyrtarë të Lobit shqiptar takohen me ambasadorin e SHBA-së në Norvegji

Zyrtarë të Lobit në Norvegji, kanë takuar Ambasadorin e SHBA-së, Kenneth J. Braithwaite.

Takimi është bërë në kuadër të vizitës së ambasadorit Braithwaite, në qytetin jugor të Norvegjisë, Kristiansand, me organizata jo qeveritare.

Daut Haxhaj, Nënkryetar i Lobit në Norvegji, ka folur për integrimin e shqiptarëve si dhe rëndësinë e organizatës për komunitetin shqiptar e më gjerë.

Haxhaj gjithashtu, tregoi për respektin e madh që kanë shqiptarët për popullin amerikan.

“Jam nga një vend i vogel që quhet Kosovë. Ku populli është falenderues dhe thotë cdo ditë, Zoti e bekoftë Amerikën dhe NATO-n për ndihmën e dhënë për lirinë e vendit”, ka thënë Haxhaj, gjatë takimit.

Anda Halili nga Lobi, foli për shtrirjen e organizatës në shumë shtete euro-atlantike.

“Lobi angazhohet për ngritjen e cilësisë organizative, promovimin e vlerave tek të rinjtë, bashkëpunimin me institucione vendase në procesin e integrimit dhe lidhjen më efikase me institucione të vendlindjes”, ka thënë Halili.

Ambasadori Braithwait, falenderoi shqiptarët për respektin e madh që kanë për SHBA-në, duke thënë se ka të tillë në botë që mendojnë ndryshe! Ai theksoi se SHBA, është e përkushtuar t’i ndihmojë popujve të ndryshëm në botë, dhe demokracitë e reja.

Po ashtu, Ambasadori në fund të fjalës premtoi bashkëpunim me organizata që merren me integrim, në vecanti ato që punojnë me të rinjë në fushën e parandalimit të dukurive negative dhe radikalizmit fetar.

Në këtë takim, në kuadër të shoqatës shqiptare Liria, mori pjesë edhe Anton Ahmetaj, Kryetar i Bashkësisë Kulturore – Fetare – Shqiptare në Kristiansand./Telegrafi