Telegrafi

Zyrtare: Shtyhet ndeshja testuese e së shtunës në stadiumi ‘Fadil Vokrri’, shkak vdekja e Adem Demaçit

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka njoftuar për shtyrjen e ndeshjes testuese në Stadiumin e Prishtinës, i cili është rinovuar.

Mbrëmja e së shtunës pritej të ishte përurimi solemn i stadiumit ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë, i cili ka përfunduar rinovimin pas dy viteve.

Në konferencën e së hënës për media, presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka bërë të ditur se në stadiumin e Prishtinës, që tashmë e ka marrë emrin ‘Fadil Vokrri’, më 28 korrik do të zhvillohet një ndeshje testuese.

Lexo po ashtu Më 28 korrik do të zhvillohet një ndeshje testuese në stadiumin “Fadil Vokrri”

Megjithatë, sot (e premte) FFK ka lëshuar njoftimin e radhës duke treguar se ndeshja testuese në këtë stadium është shtyrë për një afat të pacaktuar.

E gjithë kjo ka ardhur në shenj respekti të ditëve zie të shpallura nga Presidenti Hashim Thaçi për shkak të vdekjes së veprimtarit të shquar, Adem Demaçi.

Më poshtë gjeni njoftimin e FFK-së pa ndërhyrje:

Për shkak të vdekjes së atdhetarit, simbolit të rezistencës, Adem Demaçi, siç quhet ndryshe edhe Mandela i Kosovës, dhe për faktin se presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në nderim të tij ka shpallur tre ditë zie, Federata e Futbollit e Kosovës njofton opinionin se ndeshja testuese që ishte paraparë të zhvillohej nesër më 28 korrik në stadiumin ”Fadil Vokrri”, është pezulluar për një kohë tjetër dhe në koordinim të plotë me UEFA-n dhe inspektorët e saj.

Për terminin e ri opinioni do të njoftohet me kohë në ditët në vijim.

FFK edhe një herë iu shprehë ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe miqve të veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, Adem Demaçi.

Me respekt

Federata e Futbollit e Kosovës

/Telegrafi/