Klubi nga Tetova, Shkëndija ka konfirmuar zyrtarisht arritjen e marrëveshjes me kroatët e Lokomotiva Zagrebit për shitjen e sulmuesit 19-vjeçar, Dashmir Elezi.
19-vjeçari do të vazhdoj karrierën në Kroaci, pasi Shkëndija dhe Lokomotiva gjetën akord për transferimin e sulmuesit në Zagreb.
Është vet klubi kuqezi që ka konfirmuar marrëveshjen me klubin kroat, ndërsa përveç të hollave ka mbajtur edhe një përqindje nga shitja e ardhshme.
“KF Shkëndija me kënaqësi komunikon marrëveshjen me NK Lokomotiva Zagreb për transferimin e sulmuesit Dashmir Elezi në Kroaci”.
“Klubet janë dakorduar për kushtet e këtij operacioni, ndërsa përveç dëmshpërblimit Shkëndija mban edhe 10% të vlerës së kartonit për transferimin e ardhshëm eventual”, thuhet në njoftimin e klubit tetovar.
Ndryshe, Dashmir Elezi u rrit në shkollën e futbollit Shkëndija, derisa me vetëm 16 vite ishte debutuesi dhe golashënuesi më i ri në historinë e klubit në një ndeshje zyrtare.
Tashmë 4 sezone jo të plota është pjesë e ekipit të parë të Shkëndijës, ka zhvilluar 90 paraqitje zyrtare (78 kampionat, 4 Kupë dhe 8 Evropë) dhe 13 gola me ekipin e parë dhe fituar titullin kampion në sezonin 2020/2021.
Vitin e kaluar, Elezi kaloi në Gjeorgji te Torpedo Kutaisi, mirëpo me kërkesë të lojtarit transferimi u anulua dhe Shkëndija e ktheu sërish në skuadër. /Telegrafi/