Telegrafi

Zyrtare: Roma transferon Eldor Shomurodov

Eldor Shomurodov ka përfunduar transferimin e tij te Roma, pasi Genoa do të marrë 17.5 milionë euro plus 2.5 milionë euro bonuse, por nuk është një huazim me detyrim për ta blerë lojtarin.

Reprezentuesi i Uzbekistanit e nënshkroi sot kontratën, me njoftimin që mbërriti këtë mbrëmje.

Në një deklaratë thuhet se transferimi i përhershëm është përfunduar për 17.5 milionë euro plus bonuse të ndryshueshme, si dhe një përqindje e tarifës së ardhshme të transferimit.

Ai nënshkroi një kontratë deri në qershor të vitit 2026 dhe do të vesh fanellën me numrin 14.

“Bashkimi me Romën përfaqëson një hap të madh përpara në karrierën time – do të bëj gjithçka që mundem për të treguar se e meritoj këtë mundësi dhe për të demonstruar atë që mund të bëj në një nga klubet më të mëdhenj në botë”, ka thënë Shomurodov për faqen zyrtare të klubit.

“Shpejtësia me të cilën u arrit kjo marrëveshje është dëshmi e dëshirës sime për të qenë në gjendje të bashkohem me trajnerin dhe shokët e mi të rinj të skuadrës dhe të filloj punën sa më shpejt të jetë e mundur”.

Corriere dello Sport pretendon se detajet e marrëveshjes janë sqaruar, një tarifë e përhershme transferimi me 1.5 milionë euro, 16 milionë të tjera të shpërndara më pas për disa vite.

Bonuset e lidhura me performancën nuk janë të lehta për t’u arritur dhe bazohen në rezultatet e lojtarit dhe Romës gjatë kohës së tij atje.

“Eldor është një sulmues me potencial të madh për t’u zhvilluar edhe më tej dhe ai është i uritur të testojë veten te Roma, në një ligë që ai tashmë e njeh mirë”, ka thënë Tiago Pinto, Drejtori i Përgjithshëm i klubit.

“Së bashku me atë dëshirë, cilësitë e tij si lojtar përshtaten mirë me mënyrën se si dëshiron të luajë trajneri ynë – dhe për këtë arsye ne jemi të kënaqur që jemi në gjendje ta mirëpresim atë në klub”.

26-vjeçari bëri përshtypje në sezonin e tij debutues në Serie A në Genoa, duke shënuar tetë gola dhe siguruar një asistim në 31 paraqitje.

Kjo përfshiu pesë gola në gjashtë ndeshjet e tij të fundit të sezonit, përfshirë një gol kundër Atalantas. /Telegrafi/