Site icon Telegrafi

Zyrtare: Prishtina përforcohet në repartin ofensivë, nënshkruan Shefit Shefiti

Prishtina ka bërë një tjetër transferim, ku ka përforcuar repartin ofensivë.

Kryeqytetasit kosovarë kanë nënshkruar me sulmuesin shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Shefit Shefiti.

24-vjeçari shqiptar nga Tetova e Maqedonisë së Veriut vjen te Prishtina nga skuadra shqiptare Renova e Xhepçishtit, klub i cili është shuar për shkaqe financiare.

Shefiti ka luajtur me shumë sukses te Renova duke marrë pjesë me këtë ekip edhe në garat evropiane. Para Renovës, Shefiti ishte pjesë e Shkëndijës së Tetovës për katër edicione derisa i ka fituar edhe dy tituj kampion dhe një Kupë të Maqedonisë së Veriut.

Anësori konsiderohet si futbollist me shumë potencial e vlerat e tij kanë rënë në sy edhe të drejtuesve të Federatës Shqiptare të Futbollit ku vite më parë ka qenë e Kombëtares “kuqezi” (U-21). Kontrata eë anësorit me Prishtinën është një vjeçare me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër.

“Prishtinës iu bashkova me shumë dëshirë dhe e kam gjetur një kolektiv shumë të mirë. Besoj shumë se do të kemi suksese drejt qëllimeve që i ka klubi”.

“Është kënaqësi dhe nder të bartësh fanellën e klubit më të madh në Kosovë. Kjo fanellë duhet mbrojtur me sukses andaj duhet dhënë maksimumin”.

“Synimet me Prishtinën janë titulli kampion dhe pjesëmarrja në garat evropiane”.

““Plisat” janë tifozët më të mirë në Kosovë andaj ju premtoj më të mirën time për këtë fanellë që kryeqytetin ta nderojmë me suksese”, deklaroi sulmuesi shqiptar për faqen zyrtare të klubit. /Telegrafi/

Exit mobile version