Telegrafi

Zyrtare: Prishtina huazon nga Hajduk Spliti mbrojtësin Lumbardh Dellova

Lumbardh Dellova, anëtar i Përfaqësueses së Kosovës U21, do të jetë pjesë e Prishtinës për sezonin 2020/21.

Qendërmbrojtësi i lindur në Krushë, ka luajtur më parë për Lirinë e Prizrenit, ndërsa para dy vitesh kishte  kaluar te Hajduku.

Dellova, aktualisht 21 vjeç, ka qenë pjesë e rregullt të 18-së së parë së skuadrës së njohur kroate, Hajduk. Me Hajduk II, ka zhvilluar pothuajse të gjitha ndeshjet në Ligën e Parë.

Mbrojtësi është i lumtur që është bashkuar me Prishtinën, ndërsa thotë që mezi pret të debutojë me këtë klub.

“Ardhjen te Prishtina e konsideroj një hap trampoline duke pasur parasysh se në Hajduk nuk kisha minuta aq sa doja unë, megjithëse isha në 18-she në shumicën e ndeshjeve. Por, mua më duhen ndeshje në këmbët e mia, jam futbollist i ri dhe duke besuar shumë se me Prishtinën do të jetë ndihmë e dyanshme, vendosa pa hezitim të jem pjesë e skuadrës”.

“Shpresojmë t’i arrijmë objektivat, nuk jam panjohuri për ekipin, për klubin dhe nuk ka ndryshuar aq shumë prej kohës kur me Lirinë tek trajneri Shkëmbi kisha debutuar bash kundër Prishtinës. Të iu them të drejtën mezi pres të paraqitem, sidomos këtu në “Fadil Vokrri” ku para ca ditësh edhe debutova në stadiumin e renovuar kundër Anglisë U21”, ka thënë Dellova. /Telegrafi/