Christian Panucci është edhe zyrtarisht trajner i Kombëtares shqiptare të futbollit. Tekniku italian dhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka firmosën kontratat në konferencën e shtypit të thërritur në orën 11:00.
Presidenti Duka shprehu bindjen se Panucci është emri i duhur, megjithëse përvojën e tij në trajnim e quajti modeste. Objektiv mbetet kualifikimi në Euro 2020.
“Një nga emrat më të mëdhenj të futbollit botëror, një emër i rëndësishëm i futbollit italian, me përvojë në fushën e lojës, por ndoshta modeste në trajnim. Jam i sigurtë që kemi bërë zgjedhjen më të mirë me të gjitha karakteristikat që ka trajneri i ri. Jam i bindur se me stafin e tij dhe të gjithë ne do të bëjmë të mundur që të jemi pjesë e Euro 2020″, tha Duka.
Trajneri i ri Kombëtares u shpreh i nderuar. Ai tha se nuk e pati të vështirë t’i thoshte po Shqipërisë dhe konfirmoi se objektivi është kualifikimi në Euro 2020 dhe këtij objektivi do t’i shërbejnë edhe katër ndeshjet e mbetura të eleminatoreve të Botërorit.
“Jam i bindur që kemi një skuadër shumë të mirë. Kemi katër ndeshje të rëndësishme përpara për eleminatoret e botërorit, edhe pse është thuajse e pamundur kualifikimi, por që do të na shërbejë për t’u përgatitur për Europianin e 2020. Mezi pres që të filloj nga puna dhe të përpiqem t’u jap kënaqësi njerëzve të këtij vendi. Objektivi i vetëm dhe unik është 2020, i vetmi objektiv i rëndësishëm për ne dhe grupin e mundësitë për t’ja dalë mbanë i kemi”, tha Panucci.
Ai lëvdoi punën e paraardhësit të tij, Gianni De Biasi dhe nuk paralajmëroi një revolucion në Kombëtare.
“De Biasi bëri historinë me Shqipërinë dhe unë do të përpiqem që të bëj një tjetër histori me këtë skuadër. Është e vështirë, por jam i bindur se do t’ja dalim mbanë. Grupi që ndërtoi De Biasi ngriti nivelin e futbollit shqiptar”, tha ai.
Nga ana e tij, Armand Duka tha se grinta, vullneti i hekurt, dëshira për të fituar, por edhe përvoja si lojtar me skuadra të mëdha dhe jo çështjet financiare e bindën FSHF-në se Christian Panucci ishte zgjedhja e duhur. /TCH/Telegrafi/