Qytetarët e Maqedonisë të cilët kanë patentë shoferë të Maqedonisë derisa qëndrojnë në territorin e Gjermanisë nuk do të kenë nevojë për leje ndërkombëtare. Njëherit, shtetasit e Maqedonisë të cilët kanë të rregulluar qëndrimin në territorin gjerman me kërkesë të tyre do të mund të bëjnë ndërrim të lejeve për vozitje.
Mundësia e tillë është paraparë me Deklaratën për njohjen dhe ndërrimin e lejes për vozitje që e nënshkruan sot ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski dhe ambasadori i Gjermanisë në Shkup, Tomas Gerberich, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Qytetarët tonë të cilët janë jashtë vendit në Gjermani rreth 185 ditë do të kenë mundësi që patentën e shoferit të Maqedonisë ta zëvendësojnë më atë gjermane dhe anasjelltas. Menjëherë pas nënshkrimit duhet të mbarojnë disa procedura në të dy ministritë e vendeve dhe pastaj mund të fillojnë të bëhen zëvendësimet”, deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.
Qeveria e Maqedonisë më 26 qershor të këtij viti e miratoi Deklaratën me të cilën hapet rruga për pranimin e ndërsjellë të lejeve për vozitje me Gjermaninë, pasi në negociatat mes ministrive kompetente në muajin maj të këtij viti është harmonizuar teksti.
Lejet e vozitjes do të njihen për persona të rritur me leje për vozitje të vlefshme, nga ana e organeve kompetente në Maqedoni dhe Gjermani që kanë qëndrim ligjor në territorin e Maqedonisë (më së paku 180 ditë në një vit kalendarik) apo në territorin e Gjermanisë (më së paku 185 ditë në vit).
Me hyrjen në fuqi të Deklaratës së njohjes reciproke të lejeve për vozitje të të dyja vendeve, të gjithë qytetarët e Maqedonisë të cilët jetojnë apo qëndrojnë në Gjermani nuk kanë nevojë më të japin testin teorik dhe praktik, të kryejnë kontrollin e të pamurit dhe të kalojnë gjitha proceset e nevojshme.
Qytetarët e Maqedonisë në Gjermani tani me leje për vozitje mund të vozisin vetëm në gjashtë muajt e parë nga arritja. Pastaj duhet të japin testin për lejen e vozitjes, ndërsa çmimi është rreth 1.500 euro.
Republika e Maqedonisë deri tani ka nënshkruar marrëveshje për njohjen e lejeve për vozitje me shtatë shtete edhe atë me Spanjën, Italinë, Serbinë, Shqipërinë, Malin e Zi, Bosnjë e Hercegovinën dhe Austrinë. Ndërsa në vijim është kyçja e marrëveshjeve bilaterale me Kosovën, Turqinë, Gjermaninë, Britaninë e Madhe. Në bazë të aplikimit të ngritur për njohjen e lejes nacionale për vozitje, në rrjedhë është edhe procedura me Australinë dhe Zelandën e Re./Telegrafi/