Ylli kosovar, Milot Avdyli do ta vazhdojë karrierën në Ukrainë, pasi do të kalojë te Vorskla Poltava nga zviceranët e FC Aarau.
Klubi zviceran ka njoftuar gjatë ditës së sotme se ka arritur marrëveshje me ukrainasit për transferimin e 22-vjeçarit kosovar gjatë këtij afati kalimtar.
“Futbollisti ynë sulmues Milot Avdyli po transferohet me efekt të menjëhershëm në klubin e kategorisë së parë ukrainase FK Vorskla Poltava”.
“Avdyli kishte ende kontratë të vlefshme me FC Aarau deri më 30 qershor 2025. Palët kontraktuese kanë rënë dakord që të mos i bëjnë të ditur kushtet e transferimit”, thuhet në njoftimin e FC Aaraut.
Unser Offensivspieler Milot Avdyli wechselt mit sofortiger Wirkung zum ukrainischen Erstligisten FK Vorskla Poltava. Danke für deinen Einsatz und alles Gute für die Zukunft, Milot! ❤️
➡️ Mehr erfahren: https://t.co/CZPm1iPclc#ZämeFörAarau pic.twitter.com/Gm9WnZgAkc
— FC Aarau (@FCAARAU) January 3, 2025
Në anën tjetër, drejtori sportiv i Aaraut, Elsad Zverotic, e cilësoi këtë transferim si marrëveshje të mirë për të gjitha palët.
“Ky vendim është i mirëpritur për të gjitha palët. Nga njëra anë, Miloti – edhe pse i pëlqen shumë në Aarau – na u afrua me dëshirën që të mund të bënte hapin tjetër në karrierën e tij. Nga ana tjetër, duke pasur parasysh kontratën që skadon, oferta është tërheqëse edhe për klubin, kështu që ne ramë dakord për këtë transferim”, deklaroi Zverotic.
Ndryshe, djaloshi nga Kosova u zhvendos nga KF Trepça 89 në Brugglifeld gati katër vjet më parë, duke e bërë atë një nga lojtarët më jetëgjatë në skuadrën e trajnerit Brunello Iacopetta.
Në total, Avdyli, i cili së fundmi u emërua kapiten i Kosovës U21 – luajti në 109 ndeshje. Ai shënoi shtatë gola dhe dhjetë asistime në fanellën e FC Aarau.
Vlen të theksohet se te Vorskla në të kaluarën kanë bërë karrierë edhe yje tjerë nga Kosova si Ismet Munishi, Armend Dallku, Debatik Curri dhe Ahmet Januzi. /Telegrafi/