Site icon Telegrafi

Zyrtare: Milani nuk e bind UEFA-n rreth planit financiar

UEFA ka njoftuar se ka hedhur poshtë kërkesën e Milanit për një marrëveshje vullnetare.

Rossonerët kishin prezantuar një plan ku shihej stabilizimi ekonomik i klubit për vitet e ardhshme, me të cilin u shpresua të bindej UEFA që të heqë dorë nga sanksionet.

“Dhoma e Hetuesit të Trupit të Pavarur të Kontrollit Financiar të UEFA-s ka shqyrtuar kërkesën për një marrëveshje vullnetare të bërë nga AC Milan, si pjesë e rregulloreve të Fair Play Financiare (FFP)”, shkruan në njoftimin e Federatës Evropiane të Futbollit.

“Pas shqyrtimit të kujdesshëm të gjithë dokumentacionit dhe sqarimeve të ofruara, Dhoma vendosi të mos të arrij marrëveshje vullnetare me Milanin”, shkruan më tutje në njoftim.

“Në veçanti, Dhoma konsideroi se, që nga sot, ka ende paqartësi në lidhje me rifinancimin e kredive që duhet të paguhen në tetor të vitit 2018 dhe garancitë financiare të ofruara nga aksioneri kryesor”, përfundon njoftimi.

Milani do të vazhdojë të jetë subjekt i procesit të monitorimit në vazhdim dhe situata do të vlerësohet përsëri në muajt e parë të vitit 2018.

Ndryshe, italianët është raportuar se do të detyrohen të shesin futbollistë për të baraspeshuar financat e ekipit. /Telegrafi/

Exit mobile version