Telegrafi

Zyrtare: Manuel Ugarte i bashkohet Manchester Unitedit

Manchester United ka nënshkruar me Manuel Ugarten nga Paris Saint-Germaini në një marrëveshje e cila raportohet se kap vlerën e 50 milionë eurove në rast se plotësohen disa klauzola.

Mesfushori uruguaian ishte i etur që të transferohej në Angli përkundër faktit se ‘Djajtë e Kuq’ nuk do të luajnë në Ligën e Kampionëve.

Ugarte fillimisht do të bashkohet në formë huazimi, para se marrëveshja të bëhet e përhershme në fund të sezonit aktual.

Pasi transferimi i tij u krye pas afatit të lejimit të regjistrimit të lojtarëve, Ugarte nuk do të jetë në gjendje që të luajë ndaj Liverpoolit këtë vikend.

Kujtojmë se ekipi i Erik Ten Hag tashmë kishte konfirmuar transferimet e Joshua Zirkzee nga Bologna, Leny Yoro nga Lille dhe Noussair Mazraoui nga Bayern Munich.

Ugarte, i cili u kualifikua në gjysmëfinale të Copa Americas me Uruguaian, ishte bërë kandidati kryesor për United pas largimit të Scott McTominay në drejtim të Napolit për 25 milionë euro.

Ai iu bashkua PSG-së verën e kaluar nga Sporting Lisbona dhe shumë shpejt u bë një pjesë e rëndësishme e mesfushës së parisienëve.

Uruguaiani numëron 22 paraqitje për kombëtaren, që prej se bëri debutimin e tij në shtator të vitit 2021./Telegrafi/