Pikërisht në ditën e fundit të afatit kalimtar të verës, Kukësi ka afruar edhe një tjetër futbollist, ose më saktë ka rikthyer.
Bëhet fjalë për Kushtrim Lushtakun, mesfushorin nga Kosova, i cili në sezonin 2014/15 ishte ndër titullarët më të rëndësishëm te Kukësi, duke shënuar edhe 5 gola, në 29 ndeshje në kampionat.
Në verën e vitit 2015, pas ndeshjeve kundër Kairat Almatit në Ligën e Evropës, Lushtaku firmosi për Flamurtarin, ku zhvilloi një sezon të mirë, edhe pse klubi vlonjate pati shumë probleme gjatë sezonit.
Këtë verë Lushtaku ka pasur ofertë ta shumta, nga Superiorja, por edhe Superliga e Kosovës, por ka pritur deri në mbyllje të afatit kalimtar, duke firmosur tashmë për Kukësin.
“Jam shumë i lumtur që jam bërë përsëri pjesë e një klubi prestigjioz si F.K. Kukësi. U afrova me dëshirë të madhe, pasi këtu kam kujtime shumë të mira”.
“Afrimi me Kukësin më gjen mjaft të motivuar për të ardhmen. Do të jap më të mirën time në këtë skuadër dhe shpresoj që të arrijmë objektivat sezonal. Falenderoj dhe përshëndes edhe tifozerinë kuksiane për mirëpritjen”, shprehet 26-vjeçari për sajtin e klubit kuksian.