Klubi nga Podujeva, Llapi ka konfirmuar transferimin e sulmuesit të talentuar drenicas, Sokol Kiqina.
Kiqina ishte njëri nga emrat më të talentuar në sezonin e fundit në Superligën e Kosovës me fanellën e Feronikelit.
Megjithatë, djaloshi 20-vjeçar ka vendosur të largohet nga klubi ku u formua dhe u rrit, pas krizës së madhe që kaploi klubin nga “Rexhep Rexhepi”.
Por, talenti i Kiqinës nuk ka lënë pa u vërejt nga klubet e Superligës së Kosovës, të cilat e kërkuan me ngul, por vetëm Llapi arriti ta ‘rrëmbej’.
Llapi ka konfirmuar arritjen e marrëveshjes me të me anë të një postimi në faqen e tyre zyrtare në Facebook.
“Sokol Kiqina hap një kapitull të ri në karrierën e tij duke u bërë pjesë e fituesit të Kupës së Kosovës, Llapit”.
“20-vjeçari ka nënshkruar kontratë 3 vjeçare me ne dhe do t’i bashkohet ekipit në përgatitjet për garat evropiane të ‘Conference League’”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/