Xhengis Rexhepi nuk është më trajner i Lirisë, edhe pse arriti ta përmbush misionin e tij për ta inkuadruar klubin e madh kosovar në Superligë.
Prizrenasit siguruan një biletë për sezonin 2023/24 në elitën e futbollit kosovar, pasi mposhtën Ferizajn 3-0 pas ekzekutimit të penalltive në finalen e barazhit.
Megjithatë kontrata e tij ka përfunduar me bardhezinjtë dhe palët kanë ndarë rrugët me marrëveshje të dyanshme.
Njoftimi i plotë nga FC Liria:
Faleminderit Xhengis !
Me inkuadrimin në Superligë, Liria dhe trajneri Xhengis Rexhepi, kanë ndarë rrugët.
Kontrata e klubit me trajnerin, ka qenë deri në përfundim të stinorit, që zyrtarët e vlerësojnë të suksesshëm.
Klubi, e falënderon për punën profesionale dhe suksesin e arritur.
‘Po ndahemi me marrëveshje të dyanshme, dhe me bindjen që kjo nuk është lamtumirë.
Dera për trajnerin Xhengis Rexhepi , do të jetë e hapur gjithmonë’, thonë drejtues të Lirisë. Klubi i dëshiron suksese në vazhdim, duke e falënderuar në emër të tifozëve e adhuruesve anë e kënd, për punën dhe suksesin e treguar.
KF Liria /Telegrafi/