Telegrafi

Zyrtare: Leon Dajaku transferohet te Bayern Munich

Leon Dajaku (Foto: Bayern Munich FC/Twitter)

Bayern Munich e ka transferuar edhe zyrtarisht Leon Dajakun nga Stuttgarti.

Kampioni i Bundesligës e transferoi talentin shqiptar nga rivali i tyre, pas paraqitjeve mbresëlënëse në sezonin e kaluar.

Transferimin e sulmuesit shqiptar e ka konfirmuar skuadra gjermane në llogaritë e tyre sociale, ndërsa atë e ka mirëpritur drejtori sportiv, Hasan Salihamidzic.

“Është një talent i madh me të ardhme të ndritur. Jemi të lumtur që do ta kemi në skuadër një futbollist kaq të talentuar” ka thënë Salihamidzic.

Bavarezët thuhet se do të paguajnë 1.5 milion euro për Dajakun, ndërsa do të luajë te skuadra e dytë e Bayernit, që garon në ligën e tretë gjermane.

Sulmuesi kosovar ka shkëlqyer me ekipin U-19 të Stuttgartit, ndërsa ka kontribuuar në triumfin në DFB Cup dhe për arritjen në pozitën e dytë.

Ndryshe, në nivel ndërkombëtar ai luan me Gjermaninë U18, ku e ka shënuar një gol në tri paraqitje. Dajaku ka marrë numrin shtatë në fanellë, numër ky që i takonte Franck Riberys, që u largua në fund të sezonit të kaluar si lojtar i lirë /Telegrafi/