Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka njoftuar se nga dita e hënë ( 27 shtator) do të hyjnë në fuqi masat e reja lehtësuese kundër COVID-19.
Vitia tha se masat do të miratohen ditën e nesërme në mbledhjen e Qeverisë, transmeton Telegrafi.
“IKSHPK konstaton se situata epidemiologjike me COVID-19 aktualisht shënon rënie të rasteve të reja pozitive dhe numrit të vdekjeve por megjithatë është akoma jo stabile, duke pasur parasysh se varianti delta është dominues në qarkullim në Kosovë. IKSHPK përkundër situatës rekomandon vigjilencë dhe vazhdimin e disa masave në mënyre që të parandalojmë përhapjen e COVID-19”, deklaroi ministri.
Megjithatë, Vitia tha se duke pasur parasysh se një numër i madh i qytetarëve janë vaksinuar, atëherë një pjesë e masave do të jenë në ketë drejtim:
– Institucionet shtetërore dhe institucionet private detyrohen të paraqesin certifikatën e vaksinimit para hyrjes ku operojnë, përfshirë:
Qendrat tregtare;
Call center;
Gastronomia në ambientet e brendshme;
Dhe të gjithë punonjësit në institucionet publike dhe private që kanë punë me palë.
– Shkollat dhe çerdhet do të hapen nga dita e hënë , 27 shtator (maksimumi i nxënësve do të jetë 20)
– Aktivitetet sportive mund të kenë prani të shikuesve deri në 10 përqind të kapaciteteve në ambientet e brendshme, duke pasur certifikatën e vaksinimit ose një nga 3 dëshmitë alternative; pra testin PCR, serologjik ose testin rapid antigjen. Kurse, në ambientet e jashtme deri në 30 përqind të kapaciteteve.
Ndryshe, në 24 orët e fundit në Kosovë janë konfirmuar 133 raste. /Telegrafi/