Federata Evropiane e Futbollit (UEFA) ka sqaruar se vendimin rreth pjesëmarrjes së Kosovës në botërorin e futbollit do të merret brenda dhjetë ditëve.
E gjithë kjo pasi sipas sekretarit të përgjithshëm të UEFA-s, Theodore Theodorakis, Kosova është rast specifik dhe me disa kombëtaret nuk mund të takohet shkaku i konflikteve.
Ai mori shembull që Kosova nuk pritet të takohet me Serbinë, ashtu siç nuk luajnë në mes tyre Spanja dhe Gjibraltari, transmeton Telegrafi.
“Për dhjetë ditë do të marrim një vendim. Do të krijohet një task forcë e cila do të vendos se me kënd mund të luajë Kosova dhe cilat janë të rrezikut të lartë. Të njëjtin rast e kemi mes Gjiblraltarit dhe Spanjës. Ne duhet të studiojmë fizibiletin dhe të sqarojmë se me cilat ekipet do të mund të luajnë fillimisht me Kosovën”, ka thënë Theodore Theodorakis.
Vlen të ceket se Grigory Surkis, njëri prej zëvendëspresidentëve të UEFA-s, ka konfirmuar se nëse Kosova dhe Gjibraltari marrin pjesë në këto kualifikime, atëherë Rusia nuk do të zhvillojë ndeshjet miqësore.
“Nëse Kosova dhe Gjibraltari përfshihen, atëherë Rusisë do t’i duhet të zhvillojë lojëra miqësore me njërën prej këtyre përfaqësueseve [pasi njëra prej tyre mund t’i bie në grup], në këtë rast UEFA-s do t’i duhet të gjejë rival për ekipin rus”, ka thënë Surkis.
Kujtojmë se në Grupin H gjenden Belgjika, Bosnja e Hercegovina, Greqia, Estonia e Qipro, kurse në atë I janë Kroacia, Ukraina, Islanda, Turqia e Finlanda.
Sipas të gjitha gjasave, Kosova pritet të jetë në grupin I, pasi këtu gjendet vetëm shteti ukrainas që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës për dallim në atë të grupit H, ku gjenden Bosnja-Hercegovina, Greqia dhe Qipro. /Telegtrafi/