Site icon Telegrafi

Vendos Kryesia, Kuvendi i Kosovës shpërndahet më 22 gusht

Ka përfunduar mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, ku pikë e rendit të ditës ishte caktimi i datës për mbajtjen e seancës për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.

Në këtë mbledhje është vendosur që seanca për shpërndarjen e Kuvendit të mbahet më 22 gusht, ku pastaj java e fundit e shtatorit ose java e parë e tetorit të caktohet për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti theksoi se u dakorduan të gjithë së bashku që vendi duhet të shkojë në zgjedhje të rregullta.

“U pajtuam që më datë 22 gusht 2019 në orën 10:00 të shpërbëhet Kuvendi dhe për të dërguar vendin në zgjedhje, gjithashtu u dakorduam që para kësaj të votohet marrëveshja ndërkombëtare IPA”, tha Hoti.

E shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi theksoi se 22 gushti do të jetë data e shpërndarjes së Kuvendit, ku mandati i kthehet sovranit pra popullit të Kosovës.

Edhe Memli Krasniqi nga PDK tha se pati një dakordim të plotë të gjitha grupeve parlamentare që 22 gushti të jetë data për shpërndarjen e Kuvendit.

Ai ftoi të gjithë deputetët që të marrin pjesë në këtë seancë.

Ndërkaq, Bilall Sherifi nga Nisma shtoi se  ajo që ishte për tu përshëndetur ishte gatishmëria e partive politike që të bëhet edhe votimi i fondeve të IPA-s, përpos shpërbërjes së Kuvendit. /Telegrafi/

Exit mobile version