Telegrafi

Zyrtare: Kosova me tri klube në garat e UEFA-s

Kanë ardhur lajme të mira si gjithmonë nga Budapesti i Hungarisë. Pas pranimit të Kosovës në UEFA tri vite më parë në këtë qytet, tani lajmi i dytë i madh është se numri i skuadrave pjesëmarrëse në garat evropiane është rritur. Nga dy sosh që marrin pjesë, numri do të ngritët në tri.

Federata e Futbollit të Kosovës ka njoftuar se nga edicioni i ardhshëm në garat evropiane do të jenë tri skuadra.

Kampioni i Kosovës do luaj në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, ndërsa nën kampioni dhe fituesi i Kupës në kualifikimet për Ligën e Evropës.

“Edhe pse realisht ende nuk është arritur koeficienti i kërkuar për më shumë skuadra pjesëmarrëse, pas takimit të sotëm që presidenti Ademi dhe sekretari i përgjithshëm Salihu patën me përfaqësuesit e UEFA-s, këta të fundit kanë pranuar që ta shpërblejnë FFK-në me një klub më shumë në garat evropiane”.

“Që nga edicioni i ardhshëm nga kampionati i Kosovës pjesëmarrjen në garat evropiane do ta sigurojnë kampioni, nënkampioni dhe fituesi i kupës. Pa dyshim ky është një lajm i shumëpritur dhe i cili do të ndikojë edhe më shumë në rritjen e konkurrencës në elitën e futbollit tonë dhe njëherësh do të rrisë edhe nivelin e organizimit në Superligë”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Kujtojmë që presidenti i FFK-së, Agim Ademi dhe Sekretari Përgjithshëm, Eroll Salihu, po marrin pjesë në takimin dyditor të presidentëve dhe sekretarëve të federatave kombëtare në Budapest, nën organizimin e UEFA-s. /Telegrafi/