Telegrafi

Zyrtare: Kalvin Phillips transferohet te Manchester City

Kalvin Phillips edhe zyrtarisht është një futbollist i ri i kampionit në fuqi të Anglisë, Manchester City.

Mesfushori anglez i cili është dal nga akademia e Leeds United ka bërë hapin e madh në karrierë duke nënshkruar për skuadrën që udhëhiqet nga Pep Guardiola.

26-vjeçari ka nënshkruar një kontratë afatgjate me Cityn, kontratë e cila do ta mbajë atë në Etihad Stadium deri në qershor të vitit 2026.

Për transferimin e reprezentuesit anglez, City ka paguar 48,750,000 euro plus bonuset të cilat pritet të arrijnë deri në 12 milionë euro.

“Jam absolutisht i kënaqur që jam bashkuar me Manchester Cityn. City e ka dëshmuar se është skuadra më e mirë në vend me një trajner të mrekullueshëm si Pep Guardiola i cili me të drejtë konsiderohet si më i miri në botë”, tha Phillips gjatë prezantimit.

“Të jem në gjendje të luaj nën drejtimin e Pep Guardiolas dhe të mësosh nga ai më bën vërtetë të emocionuar”.

“City është një klub i klasit botëror dhe mezi pres të filloj ta ndihmoj ekipin”, tha ndër të tjera Phillips gjatë prezantimit. /Telegrafi/