Telegrafi

Zyrtare: Gëzim Morina dhe Erjon Kastrati mund të luajnë për Kosovën

FIBA sot (e mërkurë) e ka informuar Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK) se dy lojtarët, Gëzim Morina dhe Erjon Kastrati, që deri në vitin e kaluar kanë qenë si basketbollistë të Sllovenisë, nga 26 korriku 2017 mund të bashkohen me Përfaqësuesen e Kosovës.

“Pas kontrollimeve në detaje të dokumentacionit nga zyra regjionale e FIBA-s në Evropë dhe me mbështetjen e Federatës së Basketbollit të Sllovenisë, FIBA e autorizon Erjon Kastratin dhe Gëzim Morinën që të luajnë për Përfaqësuesen e Kosovës pa kufizime në përputhje me Art.3-23 të Rregulloreve të Brendshme të FIBA-s”.

“Po ashtu, ju informojmë se lojtarët e lartpërmendur nuk do të mund të luajnë më për Përfaqësuesen e Sllovenisë në ndonjë garë zyrtare të FIBA-s”, thuhet në letrën e dërguar nga Patrick Baumann, Sekretar Gjeneral i FIBA-s, transmetuar nga FBK.

Ky është një lajm shumë i rëndësishëm për FBK-në në prag të fillimit të parakualifikimeve evropiane për Kampionatin Botëror, “Kina 2019”, fazë kjo e cila do të filloj më 2 gusht dhe do të përfundoj më 19 gusht.

Kosova ndeshjen e parë si nikoqire do ta luajë kundër Maqedonisë më 2 gusht, kurse takimin e dytë si vendas do ta zhvillojë më 19 gusht kundër Estonisë. Ndeshjet do të luhen në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.

Kosova bën gara në Grupin C të parakualifikimeve evropiane për Kampionatin Botëror “Kina 2019” së bashku me Estoninë dhe Maqedoninë, me ndeshjet që do të zhvillohen me sistem vajtje-ardhje.