Site icon Telegrafi

Zyrtare: Endrit Baholli i bashkohet Prishtinës

FC Prishtina ka zyrtarizuar afrimin e parë në afatin kalimtar të verës.

Mesfushori ofensivë, Endrit Baholli i bashkohet klubit kryeqytetas nga rivalët lokal të 2 Korrikut.

22-vjeçari ka nënshkruar kontratë tri vjeçare me kampionin e shumëfishtë të Kosovës.

Pas zyrtarizimit të tij, Baholli ka folur për faqen zyrtare të klubit duke treguar objektivat që ka me bardhekaltërtit.

“Besoj se për secilin futbollist krenaria më e madhe është që të luaj për ekipin e vendlindjes. Prishtina ka qenë gjithmonë synim për mua dhe ky vit ishte vendimtar për transferimin tim në këtë klub. Prishtina e ka një histori të madhe, fanella “bardhekaltër” duhet përfaqësuar denjësisht andaj është privilegj për mua që të bart këtë fanellë me shumë peshë”, u shpreh Baholli për faqen zyrtare të klubit.

“Jam i lumtur që kam nënshkruar me këtë klub shpresëdhënës. Me një trajner si Ismet Munishi dhe bashkëlojtarë të motivuar, synimet janë të larta. Padyshim që synoj të zë vend në përbërjen bazë, mirëpo për këtë qëllim kërkohet punë dhe korrektësi, e cila nuk do të mungojë nga ana ime”.

“Tifozeria e bënë futbollin sport emocionues, i jep vlerë e kuptim secilës ndeshje,“Plisat” janë pjesë e secilës arritje të klubit dhe gjithmonë kanë respektin e secilit futbollist. Jam gati që ta jap më të mirën time në fushë në mënyrë që së bashku të kemi sa më shumë fitore e festa”, tha Baholli. /Telegrafi/

Exit mobile version