Telegrafi

Zyrtare: Edhe në edicionin e ardhshëm vetëm dy klube nga Kosova në garat evropiane

Shtëpia Evropiane e Futbollit (UEFA), sot ia ka komunikuar edhe zyrtarisht Federatës së Futbollit të Kosovës që edhe në edicionin pasues të garave evropiane 2019-2020, në garat e UEFA-s do të marrin pjesë dy klube nga Kosova.

Në këtë rast kampioni në rrethin parakualifikues të Ligës së Kampionëve, kurse fituesi i Kupës së Kosovës ashtu si edhe deri tani do të marrë pjesë në rrethin parakualifikues të Evropa Ligës.

“Cikli i prezantimit të klubeve në garat e UEFA-s ndryshon çdo tri vite, prandaj përkundër rezultateve pozitive të klubeve të Kosovës në ciklin e fundit të ndeshjeve në garat e UEFA-s dhe kërkesës së FFK-së për shtimin e të paktën një klubi në garat ndërkombëtare, ai ndryshim nuk ka reflektuar menjëherë, por efektet mund të ndodhin në vitet në vijim”.

“Të shpresojmë se një gjë e tillë do të ndodhë por kjo varet shumë nga paraqitja e skuadrave tona në këto dy gara prestigjioze”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Drita dhe Prishtina ishin pjesëmarrës në edicionin e shkuar ku treguan formë të mirë dhe kaluan nga një raund.

Drita fitoi mbi 1 milion euro, ndërsa Prishtina mbi 500 mijë euro. /Telegrafi/