Klubi më i trofeshëm nga Kosova, Prishtina ka konfirmuar zyrtarisht emërimin e Debatik Currit si trajner i ri.
Prishtina mbylli sezonin 2022/23 duke fituar Kupën e Kosovës dhe kjo erdhi edhe falë punës së Currit, i cili erdhi si pasues i Ismet Munishit të shkarkuar.
Curri ishte ndihmës trajner dhe erdhi si trajner i përkohshëm, por puna dhe suksesi brenda pak muajve ka bindur drejtuesit e klubit kryeqytetas.
Sot (e martë) gjatë ditës, Prishtina ka konfirmuar zyrtarisht emërimin e Currit si trajner të skuadrës.
Postimi pa ndërhyrje i Prishtinës
Debatik Curri emërohet kryetrajner i FC Prishtina
Ish-futbollisti jonë, që nga kategoritë e reja, si lojtar kishte fituar titullin e kampionit, kurse trofeun e Kupës e arriti si ushtrues detyre i kryetrajnerit. Curri, 39 vjeç, futbollist me përvojë të madhe ndërkombëtare, trajner i skuadrës që nga viti 2018, ka bindur krerët e klubit për t’i dhënë përgjegjësinë e madhe që edhe zyrtarisht t’i prijë skuadrës më të madhe në vend.
“Jam shumë i lumtur për vazhdimin e bashkëpunimit me klubin e zemrës, FC Prishtina. Vendimin për emërimin si kryetrajner, e vlerësoj jashtëzakonisht shumë, është privilegj për mua.
Kjo më jep përgjegjësi që të vazhdoj t’i ushtrojë detyrat e mija të plota që këto suksese t’i përsërisë edhe në edicionin e ri.
Objektivat e skuadrës janë të qarta.
Ekipi ka shumë futbollistë të rinj të talentuar që do të jenë shtylla kryesore e skuadrës. Ndërsa pres që klubi në ditët në vazhdim do të më ofroj edhe futbollistët që kam planifikuar t’i kem për sezonin e ri.
Dua të falënderoj udhëheqësit e klubit dhe drejtorin sportiv Driton Krasniqi, për besimin e dhënë.
Jam i bindur se do të vazhdojë rrugën e lavdishme të një klubi siç është Prishtina”.
/Telegrafi/