Telegrafi

Zyrtare: David Villa lojtar i Barcelonës

Barcelona dhe Valencia mbrëmë u përfshinë në një varg negociatash intensive për transferimin e sulmuesit spanjoll. Joan Laporta ka dashur t’u japë një dhuratë fansave të Barcelonës para se të largohet nga funksioni i presidentit më 30 qershor dhe mediat spanjolle që më herët paralajmëruan se marrëveshja verbale ishte arritur.

“Ekipi i Barcelonës dhe ai i Valencias mëngjesin e sotëm kanë kompletuar transferimin e David Villa të vlefshëm 40 milionë euro. Spanjolli nesër, në orët e mbrëmjes do të arrijë në Barcelona dhe të premten do t’i kompletojë kontrollat mjekësore. Ai do të nënshkruajë kontratë katërvjeçare me mundësi edhe një vit tjetër”, thuhet në deklaratën zyrtare të klubit spanjoll.

Edhe presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, më herët konfirmoi se Barcelona ishte shumë pranë përfundimit të marrëveshjes për transferimin e David Villas në Camp Nou.

“Ne kemi elementet bazikë të marrëveshjes dhe jemi duke biseduar për të gjetur zgjidhjen. Nuk jemi të fiksuar pas një date, por shpresojmë se kjo do të përfundojë para Botërorit”, kishte thënë ai për Marca.

Villa ishte cak i transferimit për Barcelonën edhe verën e kaluar, por atëherë Barcelona vendosi ta angazhojë Zlatan Ibrahimovic. Ai konsiderohet si njëri nga sulmuesit më të mirë në futbollin evropian, ndërsa për shërbimet e tij kanë qenë të interesuara shumë skuadra të mëdha. Villa ka shënuar 108 gola në 163 paraqitje për Valencian në La Liga, gjatë pesë viteve të fundit. /Telegrafi/