Enzo Maresca edhe zyrtarisht është emëruar si trajneri më i ri i Chelseat. Tekniku italian ka nënshkruar një kontratë pesë vjeçare në ‘Stamford Bridge’ me opsion edhe për një vit tjetër.
Drejtorët sportiv të Chelseat, Paul Winstanley dhe Laurence Stewart, e kanë identifikuar ish-trajnerin e Leicester Cityt si kandidatin e tyre kryesor për të zëvendësuar të larguarin Mauricio Pochettino.
Dyshja arritën që të sigurojnë shërbimet e 44-vjeçarit pas një takimi që patën në Marbella të Spanjës, aty ku gjetën një marrëveshje në lidhje me pagën e tij dhe stafit të tij, krahas kompensimit prej 10 milionë eurosh që kanë paguar për të.
Maresca, i cili ka punuar nën urdhrat e Pep Guardiolës tek Man City, është i etur që të sjellë stafin e tij me vete tek Chelsea pas largimit të Pochettinos.
Welcome to Chelsea, Enzo Maresca! 👊#WelcomeEnzo pic.twitter.com/ZKfuXKQdGD
— Chelsea FC (@ChelseaFC) June 3, 2024
Kësisoji, ish-portieri i Chelseat, Willy Caballero, pritet që të jetë pjesë e stafit të trajnerëve të italianit.
Përveç Caballeros, Enzo Marescas do t’i bashkohen edhe emra si Danny Walker, Michele De Bernardin, Marcos Alvarez dhe Javier Molina Caballero.
Pronarët e klubit, Todd Boehly dhe Clearlake Capital besojnë se Maresca është kandidati më i përshtatshëm për të drejtuar Chelsean sezonin e ardhshëm./Telegrafi/