Telegrafi

Zyrtare: Brozovic vazhdon me Interin deri në vitin 2026

(Foto: Twitter/Inter)

Marcelo Brozovic e ka vazhduar zyrtarisht kontratën me Interin deri në qershor të vitit 2026, nga e cila do të përfitojë 6.5 milionë euro në sezon plus bonuset.

29-vjeçari ishte në muajt e fundit të kontratës paraprake, e cila do të skadonte më 30 qershor të këtij viti.

Edhe pse kishte të drejtë të bisedonte me klubet tjera – me interesim të shprehur nga Liverpool, Tottenham Hotspur, Barcelona e Real Madrid – kroati gjithmonë e ka preferuar qëndrimin te Nerazzurrët.

Ai është pjesë e Interit që nga janari i vitit 2015 kur u transferua nga Dinamo Zagrebi për tetë milionë euro.

Ndërsa në bazë të njoftimeve kontrata e re është katërvjeçare me 6.5 milionë euro në vit plus një milionë euro të tjera në formë bonusi të lidhur me performancat e lojtarit.

Në njoftimin e vet në rrjetet sociale, Interi e ka publikuar një ‘emoji’ të krokodilit që është bërë një lloj simboli për Brozovicin. /Telegrafi/