Trajneri nga Shqipëria, Blendi Shkëmbi ka konfirmuar largimin e tij nga ekipi prizrenas, Liria.
Shkëmbi erdhi në fillim të sezonit te Liria dhe pati një sezon të mirë, duke qëndruar në pjesën e epërme të tabelës për shumicën e sezonit.
Megjithatë, problemet financiare të ekipit prizrenas bënë që fundi i sezonit të mos jetë edhe aq i mirë dhe Liria të përfundoj në pozitën e shtatë me 48 pikë, por me pikët të barabarta me vendin e pestë dhe të gjashtë.
Këto probleme bënë që Shkëmbi të ofrojë dorëheqjen gjashtë apo shtatë ndeshje para fundit, por e cila nuk u pranua nga kryesia.
Tani pas përfundimit të sezonit, trajneri shqiptar ka konfirmuar që përfundimisht ka ndarë rrugët me Lirinë.
Shkëmbi i ka falënderuar kryesinë e klubit për mundësinë e ofruar për të drejtuar së pari herë një skuadër dhe lojtarët për punën e bërë.
Ish-legjenda e futbollit shqiptar ka thënë se largohet nga një qytet ku e kanë respektuar shumë dhe e kanë bërë të ndihet i veçantë.
Gjithashtu Shkëmbi ka thënë se kjo nuk është një lamtumirë, por një mirupafshim duke shpresuar se në një të ardhme do ta drejtoj përsëri Lirinë. /Telegrafi/