Tirana ka shkarkuar trajnerin nigerian Emmanuel Egbo, pas rezultateve negative në ndeshjet e fundit, sidomos ditën e sotme pas eliminimit nga Kupa e Shqipërisë nga Korabi.
Egbo ishte trajneri i cili i riktheu titullin kampion klubit kryeqytetas sezonin e kaluar, duke arritur rezultate të shkëlqyera, por duke parë rezultatet e fundit të skuadrës, drejtuesit kanë vendosur që të shkarkojnë nga posti i trajnerit nigerianin.
Vendin e Egbos pritet ta marrë ish-kapiteni i Tiranës, Nevil Dede.
Më poshtë e gjeni njoftimi i klubit tiranas, ku tregohen edhe arsyet e largimit.
“Klubi i Futbollit Tirana njofton shkarkimin e trajnerit Emmanuel Egbo. Pas ecurisë jo të mirë të skuadrës në ndeshjet e fundit, Egbo nuk do të jetë më në krye të bardhebluve për shkak të rezultateve të munguara”.
“Klubi e falënderon për përkushtimin dhe sukseset e arritura, të cilat kulmuan me kthimin e titullit kampion në shtëpi”.
“Duke i uruar suksese në karrierën e tij, kampi i kampionëve i jep një meritë të veçantë të suksesit në sezonin e shkuar njeriut që prej vitesh ishte edhe do të jetë pjesë e familjes së bardhebluve. Faleminderit Egbo!”, thuhet në njoftim e Tiranës. /Telegrafi/