Telegrafi

Zyrtare: Basketbollisti i Barcelonës pranon Kosovën (Foto)

Justin Doellman, aloja e FC Barcelona ka pranuar të jetë pjesë e Kombëtares së Kosovës në basketboll. Kjo u konfirmua gjatë kësaj fundjave pas takimit që kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Erolld Belegu dhe anëtari i Bordit, Valton Bilalli e patën në Barcelonë me lojtarin.

Belegu dhe Bilalli ishin mysafirë të kryetarit të FC Barcelona-s Josep Maria Bartomeu në ndeshjen e dytë të finales së play-off-it të Ligës ACB ndërmjet Barcelona-s dhe Real Madrid-it. Në takim me Doellman-in, Belegu dhe Bilalli i shpjeguan në detaje lojtarit për planet e Kombëtares së Kosovës, rëndësinë e paraqitjes së parë të Kosovës në gara të FIBA-s dhe ambiciet për të ardhmen.

“Emrin e lojtarit ose lojtarëve që do ti natyralizojmë i kemi mbajtur sekret, pikërisht për shkak se ka më shumë se një muaj që po negociojmë me lojtarë evropianë të nivelit më të lartë dhe të ligës më të fortë në Evropë. Besoj që këtij lajmi dhe atyre që do të pasojnë, e që lidhen me Kombëtaren, adhuruesit e basketbollit do të dijnë ti gëzohen”, ka deklaruar Belegu për basketbolli.com.

Nga na e tij, Doellman ,i cili edhe zytarisht e nëshkroi kontraten me FBK-në dhe kërkesën për nënshtetesi, kryetarit të FBK-së i shprehi  entuziazmin e tij për përvojen e re  dhe u zotua të mbroj ngjyrat e shtetit të ri me nder dhe përkushtim.

Klubi i basketbollit Barcelona e përkrah plotësisht angazhimin e tij në Kombëtaren e Kosovës.

Doellman për vite me radhë është një prej lojtarëve më të mirë në Evropë në pozitën e tij. Që kur e ka përfunduar kolegjin Xavier në NCAA 1, Doellman ka luajtur në Ligën e Francës dhe atë të Spanjës, kurse para Barcelona-s i ka mbrojtur ngjyrat e Valencia-s dhe si pjesë e këtij ekipi ka qenë MVP i Ligës së Spanjës ACB, MVP i EuroCup, fitues i EuroCup dhe dy herë anëtar i pesëshes së parë të kësaj gare.

Procesi i natyralizimit të Doellman-it pritet të përfundojë brenda javës së ardhshme. FBK tashmë e ka dorëzuar kërkesën për natyralizim tek Presidenca e Kosovës dhe është në pritje të përgjigjes.

Kombëtarja e Kosovës në kualifikime për Eurobasket 2017 do të ballafaqohet me Slloveninë, Ukrainën dhe Bullgarinë.