Telegrafi

Zyrtare: Arrin Samsung Galaxy S8

Ngjarja e madhe në të cilën Samsung do të prezantojë telefonin e tij më të ri ka nisur, ndërsa salla e madhe David Geffen në Nju Jork me 2500 vende, është mbushur me të pranishëm.

Menjëherë në skenë ka dalë shefi i njësisë së Samsung-ut për telefona mobilë, DJ Koh. Pas tij është mundur të shihet njëri nga telefonat më të bukur që janë prezantuar deri më tash, i cili paraqet kombinimin e metalit dhe xhamit me ekran të madh, në shtëpizën, e cila është më e vogël se sa prisni dhe e cila është rezistuese ndaj ujit dhe pluhurit me certifikatë IP68.

Në ofertë do të gjenden dy versione të telefonave Galaxy S8 dhe të dy do të jenë në para-shitje që nga nesër, ndërsa në shitje do të dalin nga data 21 prill, transmeton KosovaPress.

Dimensionet e modelit të ri të Samsung janë 148,9 x 68,1 x 8 mm, derisa pesha e tij është 155 gramë.

Ekrani OLED 5,8 inç te modeli standard ka rezolucion 2960 x 1440 piksel, përkatësisht 2:1 në raport me dendësinë 570 ppi.

Telefoni është shumë mirë i dizajnuar. Zgjerimi i ekranit deri në fund do të thotë se nuk ka vend për tastierën Home dhe se do të përdorë kontrollin softuerik. PO ashtu, është zhvendosur edhe skaneri i gjurmëve të gishtërinjve, i cili tash ndodhet para kamerës.

Telefoni ka portin USB-C, por është lënë edhe hyrja prej 3.5 për dëgjuese. Sa i përket specifikave, këtu është çipi Snapdragon 835 për tregun amerikan, derisa versioni ndërkombëtar do të vijë me tetë bërthamë Samsung Exynos Octa (2.35 GHz Quad + 1.9GHZ Quad).

Po ashtu, telefoni ka kamerën e pasme prej 12 MP me stabilizim optik të fotografisë dhe hapje të blendit f1.7, derisa kamera e parme ka 8 MP. Bateria ka 3000 mAh, me sistem të mbushjes pa tela,4 GB RAM dhe 64 GB memorie të brendshme. Telefoni operon me sistemin operativ Android 7.0 Nougat.