Qeveria e Kosovës përmes një komunikate, të lëshuar pas mesnate ka konfirmuar arritjen e një marrëveshje për murin në Mitrovicë.
“Gjatë ditëve të fundit dhe nën lehtësimin e Zyrës së BE-së si dhe të Ambasadës së SHBA-ve, ne, palët e përbëra nga ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala dhe kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, jemi pajtuar që të zgjidhim çështjen e cila lidhet me ndërtimin e murit në Mitrovicën Veriore”, thuhet në komunikatë, transmeton Telegrafi.
“Së bashku, ne kemi arritur një zgjidhje, e cila do të ulë tensionet në veriun e Kosovës, do të ndihmojë lirinë e lëvizjes dhe do të krijojë një ambient të favorshëm për të gjithë qytetarët në veri dhe në jug të Mitrovicës”.
“Gjatë ditëve në vijim, ne do të njoftojmë publikun me planin e rishikuar për zonën e këmbësorëve, e cila buron nga marrëveshja në kuadër të dialogut të BE-së, që ka të bëjë me projektin e BE-së për urën”.
“Ne jemi të vetëdijshëm që çështja ka shkaktuar paqartësi në periudhën paraprake, por jemi kënaqur që të gjithë ne kemi pasur një qasje konstruktive në mënyrë që të përmbyllim këtë çështje në mënyrë të qëndrueshme”, njofton Qeveria e Kosovës. /Telegrafi/