KF Shkëndija me kënaqësi komunikon arritjen e marrëveshjes për bashkëpunim me sulmuesin Almir Aganspahiç.
26 vjeçari vjen nga rradhët e Çukariçkit të Serbisë dhe me kuqezinjtë ka firmosur kontratë 2 vjeçare. Futbollisti me sukses kaloi ekzaminimet mjekësore, pas çka edhe zyrtarisht konfirmohet si anëtar i ri i Shkëndijës, duke u bashkuar me ekipin në Rogla të Sllovenisë ku kuqezinjtë po zhvillojnë fazën përgatitore.
“Mund të them se kam ardhur në një klub shumë të organizuar i cili funksionon vërtet shumë mirë. E shoh se skuadra është shumë e mirë dhe me padurim pres të fillojë ndeshja dhe të nisë kampionati dhe Evropa. Kur kam pyetur për klubin më kanë thënë se ekziston një presion i caktuar. E imja është të zë vend në ekip dhe të tregoj paraqitje sa më të mira dhe sigurisht me golat e mi të realizojmë qëllimet e vendosura”, është shprehur mes tjerash Almir Aganspahiç pasi firmosi kontratën dy vjeçare në prani të drejtorit sportiv, Harun Isa-s.
Sulmuesi shtatëlartë (1.89 cm) ishte pjesë e Çukariçkit, derisa luajti si huazim te Sumgayit në Azerbajxhan. Në Serbi luajti edhe ne Novi Sad-in, në Bosnje e Hercegovinë me Çelik Zenica, Krupa, Mladost Kakanj, Olimpik dhe Sarajevën, ndërsa është paraqitur edhe me Raufoss IL në Norvegji dhe Osijekun e Kroacisë.
Të gjithë në KF Shkëndija i urojmë mirëseardhje Almir Aganspahiçit, duke i uruar shumë suksese në periudhën që pason me fanellën kuqezi.