Klubi më i madh kosovar, Prishtina, ka zyrtarizuar rikthimin e mbrojtësit të njohur, Ahmet Haliti.
Mbrojtësi i qendrës, Haliti, i cili në edicionin 2014/15 ishte pjesë e Prishtinës, rikthehet sërish te skuadra bardhekaltër pas përvojës disa vjeçare te Ferronikeli.
Haliti në të kaluarën ka luajtur edhe në skuadrat e Besianës, Hysit, Hajvalisë, Besës së Kavajës, Bylis dhe së fundi në Feronikel, ka nënshkruar kontratë njëvjeçare me Prishtinën.
Është vet klubit kryeqytetas që ka zyrtarizuar rikthimin e Halitit në Prishtinë.
“Ka disa arsye pse kam vendosur të rikthehem në Prishtinë”.
“Duke qenë se kam luajtur edhe më herët e njoh ambientin në klub dhe organizimin e klubit”.
“Pastaj kushtet e mira të ofruara dhe sigurisht motivi shtesë ka qenë pjesëmarrja në Evropë”, ka thënë Haliti për sajtin e Prishtinës me rastin e nënshkrimit të kontratës.
Sipas fituesit të Kupës së Kosovës, Haliti nuk është përforcimi i vetëm dhe skuadra do të bëjë publike deri në fund të javës edhe marrëveshjet e tjera që do t’i arrijë gjatë këtyre ditëve. /Telegrafi/