Anësori shqiptar, Agim Ibraimi, është transferimi i ri i Shkëndijës. Ai ka nënshkruar kontratë trevjeçare me kampionin e Maqedonisë dhe është prezantuar si lojtar i ekipit nga Tetova.
“KF Shkëndija me kënaqësi komunikon angazhimin e Agim Ibraimit. Sulmuesi 30 vjeçar firmos kontratë trevjeçare dhe lidhet me kuqezinjtë deri në vitin 2022”.
“Tetovari karrierën si profesionist e ka nisur pikërisht te Shkëndija, ndërsa si 17-të vjeçar u transferua te Salzburgu i Austrisë. Ibraimi në karrierën e tij është paraqitur edhe me Olimpijan në Slloveni dhe Eskisehirsporin e Turqisë para se të kthehej në futbollin slloven ku do të linte gjurmë të mëdha”.
“Ekipi i Naftas ishte trampolina që e pozicionoi te Maribori me të cilët fitoi katër tituj të kampionit, tri Kupa dhe tri Super Kupa të Sllovenisë, luajti katër herë në grupet e Europa League (tri herë me Mariborin një herë me Astanan), ndërsa një edicion luajti në grupet e Ligës së Kampionëve me Mariborin, ku mes tjerash mbahet mend për super golin kundër Chelseat”.
“Një sezon ka luajtur në Seria A të Italisë me Cagliarin, fitoi titullin dhe Kupën e Kazakistanit me Astanan para se të kthente në Slloveni te Domzale”.
“Më në fund, tri herë lojtari më i mirë i Maqedonisë dhe dy herë lojtari më i mirë në kampionatin slloven, rikthehet aty ky filloi karrierën si profesionist dhe pritet të jetë forcë e shtuar për formacionin e trajnerit Qatip Osmani”.
“Agim Ibraimi bëhet përforcimi i parë i Shkëndijës në afatin kalimtar të janarit dhe do të mbajë fanellën kuqezi me numër 10-të”, thuhet në njoftimin e publikuar në faqen e Shkëndijës.