Telegrafi

Zyra Ndërlidhëse e KE vazhdon financimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit

Qëllimi i grantit është të rriten kapacitetet administrative dhe menaxhuese të Agjencisë Kosovare të Privatizimit me qëllim që ajo të kujdeset për vazhdimësinë e procesit të privatizimit.

Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian ka ndarë 6 milionë Euro nga programi për 2008 i Asistencës nga Instrumenti për Para-Anëtarësim (IPA) për të bashkëfinancuar një projekt 14 milionësh, i cili do t’i mundësojë AKP-së të përmbushë mandatin e saj. Ky grant është vazhdimësi e mbështetjes së ofruar nga IPA 2007 për të zgjeruar edhe më tej procesin e privatizimit dhe likuidimit në Kosovë.

Ofrimi i asistencës për Agjencinë e Privatizimit përbën një mbështetje të drejtpërdrejtë nga Komisioni Evropian për të ndihmuar zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe për të ruajtur stabilitetin e saj makroekonomik dhe të tregut, thuhet në një njoftim të lëshuar nga Zyra për informim pranë Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Prishtinë./rtklive/