Financat e partive politike në Kosovë në të shumtën e herëve janë të pakontrolluara. Transparenca dhe llogaridhënia e tyre është shteg drejt Bashkimit Evropian.
Kështu tha Ricardo Serri nga Zyra e BE-së në një punëtori të përbashkët të Zyrës së BE-së dhe OSBE-së me temë “Financimin e Partive Politike”, ku u kërkua nga partitë politike që të rregullojnë shpenzimet në mënyrë sa më efektive.
Serri tha se ekziston një problem i përgjithshëm sa i përket subjekteve politike që në veçanti lidhen me financimin e fushatave të tyre. Ai tha se BE ka për synim fuqizimin e procesit zgjedhor.
Njëherësh, ai përmendi edhe të gjeturat e auditorit në zgjedhjet e fundit me ç’rast tha se nuk janë aspak inkurajuese.
“Në Kosovë ka nevojë urgjente për të kontrolluar financat politike, transparencat mbi donacionet dhe shpenzimet duhet të rregullohen në mënyrë efektive. Dhe duhet të fusim në shfrytëzim një monitorim më të mirë dhe zbatim të rregulloreve… Sipas auditorëve të pavarur që kanë kryer këto shqyrtime, partitë politike kanë dështuar të sigurojnë llogaridhënien, raportim të brendshëm, raportim financiar dhe përputhshmëri me kërkesat ligjore sa i përket financave të tyre. Shumë parti politike kanë dështuar që të zbulojnë apo nuk kanë raportuar sa duhet një pjesë të shpenzimeve të tyre. Po ashtu ka edhe raste të shkeljes, të larjes së parave dhe çështje të tjera që është për të ardhur keq dhe gjithashtu është shqetësuese që auditorët nuk kanë arritur të identifikojnë goxha shuma të mëdha të të hyrave të shumë partive politike”, tha ai.
Megjithatë, përkundër të gjeturave, Serri tha se është mirë që auditimi ka ndodhur për shkak se nuk ndodh në të gjitha vendet e botës. Hap tjetër pozitiv sipas tij, është përpjekja për nxjerrjen e një ligji të ri.
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka tha se ndryshimi i Ligjit Për Zgjedhjet ka rëndësi të veçantë, sidomos në fushën e luftimit të korrupsionit. Për KQZ-në, sipas Dakës, ky ligj ka rëndësi të veçantë pasi që Zyra për regjistrimin e Partive Politike do të duhej që të zbatojë këtë ligj.
“Kam një rekomandim që mendoj se mund të jetë domethënës dhe ajo është që të rregullohet sistemi i sanksioneve, të jetë më i përpiktë në mënyrë që subjektet politike të jenë në pajtueshmëri të plotë me kërkesat e ligjit në mënyrë të drejtë dhe transparente”, theksoi ajo.
Christopher Tuetsch, drejtor i Departamentit të Demokratizimit në OSBE tha se shpërndarja e fondeve publike për ndihmë duhet të ketë rregull rigoroz dhe llogaridhënie që të shfrytëzohen në mënyrë të rregullt, teksa ka dhënë edhe një rekomandim.
“Gjobat e vendosura nga KQZ-ja ose PSAP nuk duhen zbritur nga fondi për mbështetjen e subjekteve politike që ndahen nga buxheti i Kosovës apo ndonjë fond tjetër publik që ndahet për subjektet tjera. Përndryshe ky nuk është dënim dhe nuk ka ndonjë efekt mbi partitë politike sepse paguhet nga shoqëria apo tatimpaguesit”, tha ai.
Ndërsa Isabelle Servoz-Gallucci, shefe e Zyrës së Këshillit të Evropës, tha se komisioni i Venecias ka dhënë një kontribut shumë të madh për Kosovën për vite me radhë, posaçërisht duke dhënë mendime për institucione demokratike.
Sipas saj, e veçanta e kësaj punëtorie është fakti se ka qenë kërkesë e autoriteteve kosovare, për herë të parë drejtpërdrejt nga kryeministri. /kp/Telegrafi/