Kreu i misionit të BE-së në Kosovë i ka bërë thirrje qeverisë së Kosovës të rishqyrtojë vendimin për zgjerimin e taksës prej 100 për qind ndaj produkteve që importohen nga Serbia edhe për produktet e brendeve ndërkombëtare që prodhohen në Serbi.
Në komunikatën e Zyrës së BE-së në Prishtinë thuhet se “E shohim me shqetësim vendimin e Kosovës për të shtrirë tarifën prej 100 për qind edhe për produktet e brendeve të njohura ndërkombëtare të vendeve tjera, duke përfshirë edhe vendet e BE-së, të cilat prodhohen në Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë”
“Ne duam të përsërisim mesazhin e BE-së, se vendosja e tarifave nuk kontribuon në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe ajo bie në kundërshtim me angazhime e Kosovës drejt integrimit rajonal dhe angazhimeve të marra nga nënshkrimi i MSA-së”, thuhet në reagim, përcjell Telegrafi.
Zyra e BE-së në Prishtinë i ka bërë thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës që të rishqyrtojë vendimin dhe të revokojë taksën.
“Ky do të ishte vendimi i duhur që Kosova dhe populli i sajë të avancojë drejt aspiratave Evropiane për të tashmen dhe të ardhmen”, thuhet nga zyra e BE-së
Më tej kjo zyrë, rikujton mesazhin e BE-së për bashkëpunimin rajonal dhe kërkojmë nga gjitha palët të përmbahen nga veprimet që minojnë këtë mesazh.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që nga e premtja në Kosovë nuk mund të hyjnë pa iu nënshtruar taksës 100 për qind asnjë produkt nga Serbia, pavarësisht vendit të origjinës.
Këtë vendim Qeveria e Kosovës e ka marrë pas kërkesës të ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shalës, në mënyrë që masa prej 100 për qind të trajtojë njëlloj të gjitha kompanitë.
Ndërsa, në reagimin e publikuar në faqen zyrtare të Zyrës së Bshkimit Evropian në Kosovë, kjo zyrë është treguar e kujdeshme që të jetë maksimalisht korrekte, dhe në fund të reagimit figuron edhe tag [shenjë identifikuese e publikimeve] për Kosovën me fusnotën “KOSOVO*”/Telegrafi/