Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, priti sot në takim njoftues shefen e re të Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalia Apostolova.
Në një njoftim për media u tha se gjatë takimit u bisedua për proceset që kanë të bëjnë me avancimin e rrugës evropiane të Kosovës.
“Në veçanti u bisedua për procesin e liberalizimit të vizave, si një proces shumë i rëndësishëm për Kosovën për plotësimin e të gjitha kritereve që dalin nga ky proces”, thuhet në njoftim.
Ministri Hyseni po ashtu e njoftoi për punën që po bën Ministria e Punëve të Brendshme sa i përket sigurisë së përgjithshme në ruajtjen e rendit dhe ligjit në Kosovë, luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe korrupsionit.
Ndërsa shefja e Zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova, vlerësoi bashkëpunimin e mirë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe shprehu gatishmërinë për të thelluar atë, duke përfshirë edhe bashkëpunimin në parandalimin e terrorizmit dhe rreziqeve të sigurisë, në përputhje me Strategjinë e miratuar së fundmi nga BE-ja.
Ajo po ashtu theksoi nevojën për të sjellë çështjet evropiane më afër popullit të Kosovës, dhe në këtë kontekst veçoi Agjendën e Reformave Evropiane si një mjet që do të lejojë zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, me përfitime konkrete për qytetarët.