Telegrafi

Zyra e Auditorit: Ministria e Kthimit kontraktoi ndërtimin e shtëpive për mbi 830 mijë euro më shtrenjtë se çmimet e tregut

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) njofton se Ministria për Komunitete dhe Kthim ka kontraktuar ndërtimin e shtëpive për mbi 830 mijë euro më shtrenjtë se sa çmimet e tregut.

Sipas ZKA-së, kjo ministri nuk ishte ekonomike në kontraktimin e ndërtimit të shtëpive.

“Ministria për Komunitete dhe Kthim kishte filluar procedurat e prokurimit pa pasur informacionet e duhura për përfituesit dhe statusin e tyre të banimit. Praktika e tillë ishte përsëritur edhe në kontratën e dytë pavarësisht problemeve të hasura në kontratën e parë. Ministria ka kontraktuar ndërtimin e shtëpive për 832,033 euro më shtrenjtë se sa çmimet e tregut, kjo vetëm duke krahasuar së paku me çmimet e Administratës Tatimore të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, thuhet se ministria kishte ndërtuar shtëpi jashtë planit të përcaktuar në projektin kryesor duke ndërtuar edhe shtëpi të cilat në dukje kanë specifika tjera.

“Kishte dallime të konsiderueshme ndërmjet pozicioneve të kontraktuara për ndërtimin e shtëpive dhe pozicioneve që aktualisht ishin përdorur gjatë ndërtimit të shtëpive. Progresi i ministrisë në përmbushjen e kontratës së dytë për ndërtimin e shtëpive ishte dukshëm më i ngadalshëm se sa ishte planifikuar. Me këtë kontratë ishte planifikuar që brenda tri viteve të ndërtoheshin 150 shtëpi, ndërsa për 29 muaj ishin ndërtuar vetëm 26 shtëpi”, vijon ZKA-ja.

Raporti “Ekonomiciteti dhe efikasiteti në ndërtimin e shtëpive për të kthyerit” thotë se ministria nuk ishte ekonomike në ndërtimin e shtëpive për të kthyerit.

“Ministria nuk ka kryer hulumtimin e duhur të çmimeve të tregut dhe nuk ka arritur të përcaktojë vlerën e parashikuar të kontratës në mënyrë të duhur. Ministria kishte kontraktuar ndërtimin e shtëpive për 4.4 milionë euro për kontratën e parë dhe 3.8 milionë euro për kontratën e dytë. Mirëpo, nëse Ministria do t’i kishte përfshirë vetëm pozicionet që janë shfrytëzuar realisht, mund t’i kontraktonte ato për 2.4 milionë euro dhe 2.1 milionë euro. Për më tepër, pozicionet e papërdorura kishin çmime dukshëm më të ulëta, pavarësisht se shërbenin për të njëjtin qëllim”, thotë raporti.

Mangësi thuhet se kishte edhe menaxhimi i kontratave.

“Kombinimi i ndërtimeve jashtë planeve sipas projekteve kryesore, mospërputhjet në pozicione, pagesat për punët e papërfunduara dhe progresi i ngadaltë në përmbushjen e kontratës së dytë janë ndër gjetjet kryesore që i kanë kontribuar Ministrisë për të mos siguruar strehim adekuat për të kthyerit”, përfundon ZKA. /Telegrafi/