Site icon Telegrafi

Zyra e Auditimit: Përcaktimi i tarifave për shërbimet publike nuk është bërë sipas kritereve të matshme

Pavarësisht progresit të arritur nga rregullatorët në procesin e përcaktimit të tarifave, ka disa mangësi që ndikojnë në saktësinë e tarifave të aprovuara dhe të cilat rrezikojnë që tarifat të mos jenë drejtë të përcaktuara.

Kështu thuhet në raportin “Sistemi i Përcaktimit të Tarifave të Energjisë Elektrike, Termike dhe atyre të Ujësjellësit“, prezantuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit.

“Gjatë procesit të përcaktimit të tarifave, rregullatorët nuk kanë arritur të sigurojnë transparencë të mjaftueshme si dhe vendosje plotësisht të drejtë dhe të saktë të tarifave. Rregullatorët dhe ofruesit e shërbimeve publike nuk kanë zhvilluar një proces të identifikimit të sasisë së konsumuar të shërbimeve nga konsumatorët të cilët janë të liruar nga pagesa e shërbimeve publike për t’u kompensuar nga autoritetet përkatëse. Edhe përcaktimi i kostove operative, kostove kapitale dhe koeficienteve tjerë të rëndësishëm financiarë nuk aprovohet plotësisht bazuar në analiza përkatëse dhe të dokumentuara me sqarime të mjaftueshme dhe të qarta”, thuhet në raport, përcjell Telegrafi.

Auditori thotë se, “parakushtet procedurale dhe teknike gjatë procesit për përcaktimin e tarifave nuk sigurojnë një pjesëmarrje të kënaqshme të qytetarëve dhe shoqërisë civile në aktivitetet e konsultimeve publike, qasje e cila ka rezultuar në një situatë ku konsultimet publike – pjesëmarrja e publikut në përcaktimin e tarifave në përgjithësi, është shumë e kufizuar”.

Zyra thotë se ky auditim kishte për qëllim vlerësimin se sa efektiv është sistemi i përcaktimit të tarifave të shërbimeve publike. /Telegrafi/

Exit mobile version