Telegrafi

Zyra e Auditimit gjatë javës fillon me publikimin e raporteve të 23 institucioneve

Nga kjo javë, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) do të fillojë publikimin e raporteve të auditimit të rregullsisë për Pasqyrat Financiare Vjetore 2019.

Sipas kësaj zyre, fillimisht do të publikohen 23 raporte.

“Në fazën e parë, do të publikohen njëzetetre (23) raporte, prej të cilave: njëmbëdhjetë (11) i përkasin institucioneve të nivelit qendror; një (1) institucioneve të pavarura, si dhe njëmbëdhjetë (11) institucioneve të nivelit lokal (komunave)”, thuhet në njoftimin e ZKA-së, përcjell Telegrafi.

Përkatësisht, do të publikohet raporti i auditimit për Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK); Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS); Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL); Ministrinë e Drejtësisë (MD); Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimin Hapësinor (MMPH); Ministrinë e Mbrojtjes (MM); Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS); Ministrinë e Integrimit (MI); Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike (MDIS); Doganën e Kosovës; Zyrën e Kryeministrit (ZKM); Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ); Komunën e Mamushës; Komunën e Klinës; Komunën e Deçanit; Komunën e Prishtinës; Komunën e Mitrovicës së Jugut; Komunën e Leposaviqit; Komunën e Vushtrrisë; Komunën e Rahovecit; Komunën e Ferizajt; Komunën e Podujevës dhe për Komunën e Shtërpcës.

Raportet e Zyrës Kombëtare të Auditimit tregojnë llogaridhënien e institucioneve publike për menaxhimin e fondeve publike. /Telegrafi/