Telegrafi

Zyhdi Dajti dëshmon në Prokurori

E përditshmja Mapo raportoi të premten se prokuroria e konsideron Dajtin një ndër dëshmitarët kryesorë për vrasjen e Ziver Veizit, pak metra larg portës nr. 1 të Kryeministrisë për vetë faktin se ai ndodhej pranë në atë moment, por edhe si një prej njerëzve të opozitës që ishte angazhuar në organizimin e demonstratës.

Gjatë përballjes me prokurorët mësohet se Dajti, i cili më parë ka mbajtur detyra të rëndësishme në Gardën e Republikës ka dhënë shpjegime në lidhje me rolin e tij në demonstratë dhe përpjekjet e vazhdueshme për të qetësuar turmën. Mësohet se kreu i policisë bashkiake ka pranuar përpara prokurorëve se turma ka goditur Kryeministrinë, por pa tentuar të hyjnë në rrethimin e saj, veprim të cilin edhe vetë ai e ka penguar.

Pikërisht në momentin që Dajti u bënte thirrje demonstruesve të qetësoheshin, njëri prej tyre, Ziver Veizi u qëllua nga një plumb. Dajti ka shpjeguar se në momentin që Veizi u qëllua, ai ndodhej me shpinë nga Kryeministria dhe ka parë vetëm rrëzimin e viktimës në tokë.

Burime të besueshme nga prokuroria citohen nga e përditshmja Mapo të kenë thënë se kreu i policisë bashkiake është pyetur kryesisht për rolin e tij në organizimin e demonstratës, qëllimin dhe arsyet pse shpërtheu dhuna. /Telegrafi/