Telegrafi

Zvogëlohet lista e pritjes për operacione në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK), ka njoftuar se Klinika e Kirurgjisë Vaskulare ka rritur vëllimin e punës dhe ka arritur që të zvogëloj listën e pritjes për operacione.

“Në këtë Klinikë është funksionalizuar Aparati me Radiofrekuencë- Ablacion, i cili mundëson që me metoda bashkëkohore të kryhen operacionet e venave varikoze, me anestezion lokal, pa pasur nevojë për praninë e anesteziologut gjatë intervenimit”, thuhet në njoftim.

Nga raporti i punës së kësaj klinike, figuron se gjatë viti 2022 janë kryer 1 mijë e 202 operacione, prej tyre 316 operacione të venave varikoze.

Në dy muajt e parë të këtij viti janë kryer gjithsej 201 operacione, 64 prej tyre të venave varikoze.

“E gjithë kjo punë është kryer në bashkëpunim edhe me Klinikën e Anesteziologjisë që në vazhdimësi i është përgjigjur kërkesave të kësaj klinike”, thuhet më tej në njoftim. /Telegrafi/