Dalibor Jevtiq kishte një aktakuzë të ngritur për “keqpërdorim të detyrës dhe autoritetit zyrtar”.
Tanimë zëvendëskryeministri i ri në Qeverinë e Kosovës nuk është i dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, pasi Gjykata hodhi poshtë aktakuzën ndaj tij.
Rreth tri javë para se të emërohej në postin e zv/kryeministrit në qeverinë Haradinaj, Gjykata Themelore e Prishtinës hodhi poshtë aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ndaj Dalibor Jevtiq.
Gjithashtu, aktakuza është hudhur poshtë edhe ndaj dy të pandehurve tjerë në këtë rast, zyrtarëve të Ministrisë për Kthim dhe Komunitete, Nenad Stojçenoviç dhe Mihailo Prenliçeviç, të akuzuar po ashtu për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Sipas aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të lartcekurit nuk i kanë tejkaluar kompetencat e tyre dhe as që është vërtetuar se me veprimet e tyre i është sjell përfitim dikujt apo i është shkaktuar dëm, transmeton insajderi.
Jevtiq u emërua zëvendëskryeministër në qeverinë Haradinaj pasi partia të cilën ai përfaqëson, Lista Serbe, arriti një marrëveshje koalicioni me PDK-në, AAK-në, NISMA-n dhe AKR-në.
Anëtari i Listës Serbe kishte shërbyer si ministër për Kthim dhe Komunitete për tri vjet në Qeverinë Mustafa. Pikërisht gjatë kësaj periudhe, Prokuroria kishte ngritur aktakuzën për “keqpërdorim të detyrës zyrtare” ndaj tij.
Ish-kryeministri Isa Mustafa kishte deklaruar se në kabinetin e tij qeveritar nuk do të shërbenin njerëz që kanë të ngritura aktakuza, por ish-shefi i qeverisë asnjëherë nuk e shkarkoi nga pozita Jevtiqin.