Site icon Telegrafi

Zv/Kryeministri Kelmendi kritikon ashpër KEDS-in

Pas raportimeve se në shumë zona të Kosovës, për ditë të tëra po mungon furnizimi me energji elektrike, përfshirë edhe vendet turistike, si Rugova, zv/Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ramiz Kelmendi, ka drejtuar kritika të ashpra në drejtim të kompanisë kosovare për distribuim dhe furnizim me energji elektrike, KEDS.

Në një postim të tij në facebbok, Kelmendi ka ftuar KEDS-in që sa më shpejt të ndërmerrë masa në terren, në mënyrë që furnizimi me energji, të rikthehet në zonat dhe viset ku mungon.

Mungesën e energjisë, me ditë të tëra, nëpër viset turistike, Kelmendi e ka quajtur dëm të pa-riparueshëm ekonomik, transmeton Telegrafi.

Postimi i plotë i zv/Kryeministrit Kelmendi;

“KEDS-i KA MARRË PËRGJEGJËSI, MUNGESA E ENERGJISË NUK JUSTIFIKOHET

Mungesa e furnizimit me energji në shumë pjesë të Kosovës, nuk duhet justifikuar me deklarime “sa për të thënë” në media. Kjo e dëmton rëndë zhvillimin ekonomik dhe turizmin, ndërsaqë rëndon jetën e ekonomive tona familjare.

Mungesa me furnizim me energji, tash e sa ditë vetëm në zonën turistike të Rugovës sjellë dëme të pa-riparueshme në ekonomi dhe në turizëm të shtetit.

Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji elektrike KEDS, ka marrë përgjegjësi në kohë, të cilat duhet zbatuar në përpikëri. Kjo kompani duhet rishikuar dinamikat dhe projektet e veta investive. KEDS po investon në rajonet e lehta duke anashkaluar rajonet vitale, turistike e ekonomike. KEDS duhet të identifikojë dobësitë e veta menagjeriale. Një shkaktarë mund të mbetet edhe reduktimi i numrit të punonjësve,që kjo kompani e ndërmori më parë.

Duhet të kuptohet se KEDS ka obligime kontraktuale, që të furnizojë me energji elektrike në mënyrë stabile, edhe kur jemi në kushte ekstreme të jashtëzakonshme.

Duhet kuptuar se ekonomitë që po dëmtohen, me të drejtë kërkojnë kompenzim për dëmet e shkaktuara dhe shpenzimet e shtuara. Ekonomitë, parapagues të rregullt të shpenzimit të energjisë, në mungesë të saj, detyrohen të përdorin forma tjera alternative të furnizmit me energji (me gjenerator) dhe kjo është e kushtueshme në koston e shpenzimit të tyre total.

Qytetari/konsumatori nuk duhet të ketë pasoja edhe tash.

Si zv/Kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës, ndajë shqetësimin me qytetarët e vendit, për këtë problem i cili tashmë është bërë dukuri në vendin tonë, pothuaj në të gjitha stinët e vitit, jo vetëm në dimër.

Si zv/Kryeministër, jam duke u angazhuar dhe në kontakt me të gjitha dikasteret institucionale përkatëse që kjo çështje të merr një drejtim, një të vërtet, se pse po ndodhin këto gjëra.

I bëjë thirrje kësaj kompanie, që të marrë masa urgjente, konkrete, që të sanojë dëmet kudo ku kanë ndodhur, energjia të ri-kthehet kudo ku mungon dhe veçanërisht të intervenohet në zonat e thella, zonat turistike, siç janë Rugova, Prevalla e të tjera në nivel vendi. RK” (sic), ka shkruar Kelmendi. /Telegrafi/

Exit mobile version