Zvicra ka përfshirë Spanjën, me përjashtim të Ishujve Kanarie dhe Baleare, në listën e vendeve nga të cilat karantina është e detyrueshme me rastin e kthimit në vend për shkak të rritjes së rrezikut të infeksionit coronavirus.
Spanja, një nga vendet më të prekura nga pandemia, me gati 28.500 vdekje, është shtuar në listën e vendeve dhe territoreve nga të cilat karantina është e detyrueshme pas mbërritjes, njoftoi sot Zyra Federale e Shëndetit Publik.
Kjo listë përfshin Bahama, Guinenë Ekuatoriale, Rumaninë, Sao Tome e Principet, Singaporin dhe ishullin e Karaibeve të Shën Martinit.
Njerëzit që kanë qenë në njërën prej këtyre zonave janë në rrezik të rritur të kontraktimit të coronavirusit SARS-CoV-2. Ata duhet “menjëherë pasi të kthehen në Zvicër të shkojnë në banesën e tyre ose vendbanimin tjetër të përshtatshëm”.
Sipas agjencisë zvicerane ATS, masat për ata që kthehen nga Spanja hyjnë në fuqi të shtunën.
Azerbajxhani, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Rusia janë hequr nga lista që nga 8 gushti, tha zyra e shëndetit publik në faqen e saj të internetit.
Pas një mase të ngjashme nga Mbretëria e Bashkuar, Gjermania të premten deklaroi tre rajone të Spanjës zona të rrezikshme, e cila përfshin karantinë për pasagjerët që kthehen prej tyre nëse nuk kanë dëshmi të një rezultati negativ të COVID-19.
Qeveria spanjolle tha javën e kaluar se nuk kishte valë të dytë dhe se vendi ishte i sigurt për turistët.