Site icon Telegrafi

Zvicra vazhdon ta mbështesë Kosovën në mënyrë aktive në ujëra rurale dhe kanalizime

Ambasadori zviceran në Kosovë, Thomas Kolly dhe ministrja e Financave, Hykmete Bajrami nënshkruan sot një marrëveshje që shtrin programin e bashkëpunimit të Zvicrës në të gjithë vendin deri në vitin 2022, me një shtesë prej 560,000 CHF.

Ministria e Financave përmes një njoftimi për media thotë se falë mbështetjes zvicerane, më shumë se 600,000 njerëz do të kenë qasje në furnizime të reja ose të përmirësuara me ujë në përfundim të këtij programi.

“Që nga fillimi i këtij programi në vitin 2005, rreth 60 milionë CHF në total janë investuar në shërbimet e ujërave rurale dhe kanalizimeve, si nga Zvicra dhe Qeveria e Kosovës (niveli qendror dhe lokal).Ministrja e Financave Hykmete Bajrami, pranoi mbështetjen e pafundme që Qeveria e Zvicrës i ka dhënë Kosovës gjatë gjithë viteve, si dhe kontributin shtesë për një projekt kaq të rëndësishëm, përkatësisht fazën e daljes së Programit Mbështetës së Ujërave Rurale dhe Kanalizimeve”, thuhet në njoftim.

Tutje në njoftim thuhet se “në përputhje me prioritetet qeveritare, Ministrja mirëpriti bashkëpunimin e mëtejshëm me Zvicrën për projektet e ardhshme në sektorin e ujit dhe nënvizoi zotimin e Kosovës për zbatimin e tyre të suksesshëm​”./Telegrafi/

Exit mobile version